Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka reaguar pas lajmit se drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura shkruan se Koçi kishte shkelur disa herë rregulloren duke mos marrë leje për intervistat që jepte në media. Megjithatë thekson se janë në proces rishikimi të vendimit për shkarkimin e tij.
Dje duke folur për Zërin e Amerikës, Koçi tha se shkaku është qesharak, pasi sipas tij, shkelja ishte etike dhe nuk përbën faj administrativ për pushimin nga puna.
Pas gati dhjetë vitesh në detyrë, Ardian Koçi, drejtor i Parkut Divjakë-Karavasta, Parku më i madh Kombëtar në Shqipëri e pa veten në rrugë për një intervistë ku lavdëronte parkun.