Prestigjozja britanike Daily Mail ka zbuluar se agjentët shqiptarë të shërbimit sekret informativ, të financuar nga Britania e Madhe, u kanë shitur informacione një grupi kriminal.
Mësohet se këto informacione kanë çuar në vrasjen e një burri si pjesë e një “lufte” midis bosëve rivalë të drogës në vendin ballkanik, ka zbuluar një hetim i Mail.
Një burim tha se të paktën dy agjentë të tjerë të ekipit “Merlin” kanë shitur informacion të klasifikuar në rrjetet e krimit që ata synonin të godisnin.
Zbulimet tronditëse vijnë pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak muajin e kaluar u zotua të shpenzojë më shumë për të luftuar emigrimin e paligjshëm dhe krimin e organizuar nga Shqipëria.
Ekipi “Merlin” u krijua brenda shërbimit sekret të Shqipërisë, i njohur si SHISH, në vitin 2000, kur bandat nga vendi ballkanik filluan të vepronin për herë të parë në Britaninë e Madhe.
Që në fillim kjo njësi mori pjesën më të madhe të financimit të saj nga taksapaguesit britanikë.
Agjentët e saj u trajnuan nga Britania e Madhe dhe aktiviteti i departamentit monitorohet nga një oficer me bazë në ambasadën britanike në Tiranë i lidhur me inteligjencën në Londër.
Ekipi “Merlin” ishte aq i fshehtë, saqë edhe ekzistenca e tij mbeti e paraportuar për 16 vjet, deri në vrasjen e Denis Kasajt, anëtar i familjes së krimit të klanit Kastrati, i cili u qëllua në një Mercedes nga një breshëri plumbash të dala nga një automatik çek “Skorpion”.
Vrasësi me pagesë Ilir Memushaj u dënua me 14 vjet burg në vitin 2017 për vrasjen për të cilën detektivët zbuluan se ishte kryer me kërkesë të një klani rival kriminal, Binjaku, si pjesë e një grindjeje të gjatë mes familjeve.
Të dy klanet kanë krijuar rrjete të mëdha droge në të gjithë Evropën, duke përfshirë Britaninë e Madhe.