Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot rreth modeleve evropiane për Asociacionin, të cilat u përmenden gjatë javës së kaluar nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Ndonëse nuk dha shumë detaje, Kurti tha se janë modele që mund të shërbejnë për të dërguar në nivelin e duhur të drejtat e njeriut e ato të pakicave kombëtare.
“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtas, disa janë më të hershme, edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Por unë besoj që ato janë modele nga të cilat mund të marrim elemente në mënyrë që, jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur,” tha ai.
Madje Kurti theksoi se 15 modelet evropiane po shqyrtohen nga disa ministra e këshilltarë të tij.
“Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që ta shohim çka është më e favorshme. Natyrisht kushtetushmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit është diçka me të cilin ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis,” tha më tej Kurti.