Lokali i Fatjon Muratit u sulmua mbrëmjen e djeshme me armë zjarri ku mbeti e vdekur banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën gjashtë të tjerë, mes tyre mbesa 10-vjeçe e viktimës. Mister është fakti se ku ndodhet Fatjon Murati?
Ai u lirua me arrest shtëpiak dhjetorin e vitit të kaluar, vetëm dy muaj pas arrestimit. Murati u vu në pranga tetorin e kaluar pas zbulimit të një arsenali armësh në një apartament në zonën e Farkës, bashkë me shtetasin Kristjan Gjini.
Por pas hetimeve, prokuroria e Tiranës zbuloi se në një prej kutive ku mbaheshin armët u gjet vetëm një gjurmë gishti e Muratajt dhe për këtë rikualifikoi veprën penale, nga ajo e mbajtjes pa leje të armeve të kryer në bashkëpunim në armë mbajtje pa leje në banesë.
Pas kësaj gjykata e shkallës së parë ka zëvendësuar masën e sigurisë nga ajo e arrestit në burg, në arrest shtëpiak. Murati u arrestua në tetor të 2022 ndërsa po lëvizte në makinë me një nga personazhet e njohur në botën e krimit, Indrit Doklen, i njohur për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e Dokles.
Emri i Fatjon Muratit doli në skenë edhe në atentatin ndaj Brilant Martinajt, i afërm i Ervis Martinajt i cili prej muajsh rezulton i zhdukur dhe nuk dihet ende asgjë për fatin e tij. Në këtë atentat, në zonën e Fushë Krujës, mbetën të vrarë, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.