Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i ish-kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj që do të kandidojë sërish në këtë bashki në 14 Maj nën siglën e PD-së së drejtuar nga Basha-Alibeaj ka fituar një tender të majmë nga bashkia e Tiranës.
Vlera nuk është e vogël, por plot 1 miliard lekë. Kjo nuk është hera e parë që “Shkëlqimi 07” merr tendera në bashkitë që qeverisen nga socialistët, por shuma si kjo janë të rralla.
Tenderi ka synim rehabilitimin e rrugëve të bllokut kufizuar nga rrugët “5 Maji – Dibres -Njazi Meka -Abedin Cici në Tiranë. Fituesi u shpall 7 ditë më parë.
Por faqja që monitoron tenderat e ka kapur me shkelje duke i nxjerrë flamurin e kuq për shkak të skualifikimit të 18 kompanive që ishin në garë dhe në fund ka nxjerrë fitues Kapllanajn edhe pse oferta që kishte paraqitur ishte më e madhe se e të paktën pesë kompanive të tjera.