Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të BKH në banesën e Erjola Hoxhës. Ata kërkojnë konstatimin e paligjshmërisë së vendimit të Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të banesës në Hamallaj, në pronësi të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, duke e quajtur “akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale”.
Çfarë gjetën agjentët e BKH-së brenda telefonit të partneres së Ahmetajt?
Përmes ankimit, Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa. Gjithashtu ata ankimojnë edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.
“Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë.
Banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre.
Gjithashtu vënia e saj nën trysni nga hetuesit e BKH menjëherë sapo u vu në kontakt me ta dhe kërkesa e tyre e menjëhershme për të dorëzuar fjalëkalimet që lejonin hyrjen në komunikimet që përmbante telefoni i saj celular është një akt ku shfaqet mungesa e respektit për dinjitetin e njeriut dhe trajtimi poshtërues që i shkaktuan asaj ndjenjën e frikës, ankthit dhe inferioritetit. Pra dorëzimi i fjalëkalimeve u bë i mundur kundër vullnetit të saj dhe pa pasur mundësinë e një zgjedhje tjetër. Ajo pati frikë se mund ta arrestonin për shkak të kundërshtimit të autoriteteve gjyqësore.
Theksojmë se hetuesit nuk kishin të drejtë të hynin në sistemin kompjuterik të smartphohe të zonjës E.H. (Erjon Hoxha) dhe të merrnin dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private elektronike pa një vendim të posaçëm autorizues të gjykatës. Kjo mënyrë veprimi cenoi të drejtën e saj për t’i garantuar dinjitetin njerëzor dhe privatësinë e komunikimeve“ thuhet mes argumenteve.
Ahmetaj kundër kontrolleve të BKH-së: Jam deputet! Duhet të merrnit leje