Bashkia e Fierit me kryetar Armando Subashin, i akuzuar nga opozita për dosjen e inceneratorit ku u derdhën miliona euro që “avulluan” dhe sot nuk bëhet asnjë proces ka hapur një tender për rikonstruksionin e një rruge në lagjen “1 Maji” në qytet me vlerë 362 milionë lekë pa TVSH. Rruga duhet të mbarojë për tre muaj që do të thotë se duhet të ketë filluar përpara zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Për këtë rrugë, që është kujtuar në fund të mandatit, Subashi ka futur bashkinë për dy vite në borxh, pavarësisht se kush do të jetë kryetari i ri. Fondi i rrugës është i ndarë për t’u shlyer në tre vite, 2023, 24 dhe 25.
“Në bazë të shkresës nr.1385/1 prot. datë 20.02.2023 të Drejtorise se Pergjithshme se Finances, Buxhetit e Kontabilitetit, për financimin dhe fillimin e procedurave të prokurimit publik me objekt “Rikonstruksioni i rruges ne lagjen “1 MAJ” segmenti rrugor “Naun Kaçaku” – “Shën Gjergji”, (Stacioni i Patosit – ish-Ura me shkallë), Fier”, objekti i prokurimit do të kontraktohet dhe zbatohet me vlerë të plotë, por për vitin 2023 do të financohet në vlerën prej 12 026 385 (dymbedhjete milion e njezete e gjashte mije e treqind e tetedhjete e pese) lekë me TVSH.
Për vitin 2024 do të financohet në vlerën prej 21 437 209 (njezete e nje milion e katerqind e tridhjete e shtate mije e dyqind e nente) lekë me TVSH ndërsa pjesa tjetër e mbetur e kontratës do të financohet në vitin buxhetor 2025 në vleren 10 000 000 (dhjete milion) lekë me TVSH” thuhet në sqarimin për tenderin që është shpallur dhe që mbyllet në 31 Mars.