Një nga grupet më të rrezikshme, degë e grupit terrorist Shteti Islamik, ka vendosur në objektiv Perëndimin dhe mund të organizojë një sulm brenda këtij viti, tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan.
Megjithë përplasjet sporadike mes talebanëve në Afganistan dhe degëzimit në Afganistan të Shtetit Islamik, të njohur me emërtimin IS-Khorasan apo ISIS-K, ky grup terrorist është pranë eksportimit të luftës përtej kufijve të Afganistanit, u tha të enjten ligjvënësve amerikanë Komandanti i Komandës Qendrore (CENTCOM), Gjenerali Michael Kurilla.
Komandanti i CENTCOM-it tha se ka më shumë gjasa që operativët e grupit IS-Khorasan të sulmojnë objektiva perëndimore apo amerikane në Azi ose Evropë, duke vënë në dukje se do të ishte “shumë më e vështirë” për ta që të bëjnë sulme në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Vlerësimi i Gjeneralit Kurilla vjen mbi një vit e gjysëm pasi forcat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, duke ulur kështu shumë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve për të mbledhur të dhëna zbulimi për grupime si IS-Khorasan, apo rivalja Al-Kaida.
Vlerësimi pason deklarata të ngjashme nga zyrtarë të lartë amerikanë që shohin evidencë se grupi IS-Khorasan synon të bëhet i pranishëm në skenën globale. “Është çështje kohe përpara se të kenë aftësinë dhe synimin për të sulmuar Perëndimin”, u tha ligjvënësve javën e kaluar kreu i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes, Gjeneral Lietnant Scott Berrier.
Në janar, zyrtarja më e lartë amerikane kundër terrorizmit i tha audiencës gjatë një videokonference se IS-Khorasan është “aktori i rrezikshëm për të cilin jam më e shqetësuar”. Vende të tjera po shohin gjithashtu shenja të një rritjeje të grupit IS-Khorasan.
Gjenerali Kurilla nuk është zyrtari i parë amerikan që sugjeron se një sulm nga ky grup ndaj një objektivi perëndimor mund të jetë i pashmangshëm.