Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla është shprehur sot se PS nuk bën avokatin e kryetarit të bashkisë së Bulqizë, Lefter Alla që u arrestua pak ditë më parë për tenderat.
“PS nuk është zyrë avokatie për askënd. Përgjegjësinë përballë ligjit e ka secili vetë. Kryetari i bashkisë Bulqizë dhe Lushnje janë arrestuar për probleme me drejtësinë dhe PS ka mbajtur të njëjtën qëndrim” tha ai.
Por çfarë mendon ai për deklaratën e Allës që tha në gjyq “më mirë të më thonin “hap krahun” duke akuzuar për sulme politike. “Unë nuk komentoj asnjë deklaratë” tha Balla.
Më tej, Balla deklaroi se pavarësisht dënimit nga gjykata, kryetari i bashkisë Mallakastër do të rikandidojë.
“Kryetari i bashkisë Mallakastër nuk ka asnjë dënim apo vendim gjykate që i ndalon rikandidimin.
Nëse një qytetar gjatë kohës në emigracion është dhunuar apo ka pasur një problem që nuk ka asnjë lloj dënimi për vepër penale. Cdo qytetar në emigracion i ka vuajtur. Kryetari i bashkisë Mallakastër do të rikandidojë”.
Po Artur Bushi që ishte në SPAK? “Sot në SPAK janë thirrur shumë persona, edhe drejtuesit më të lartë të politikës.
Me standardin që thatë ju për Bushin, ai është thirrur për një çështje që ka dijeni. Sipas jush nëse thirresh në SPAK nuk kandidon më” tha ai.