Në datën 14 Maj gjithçka duhet të jetë gati. Kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli që po bëhet gati për një mandat tjetër në pushtetin vendor vijon punën për asfaltin elektoral.
Pak ditë më parë, Suli firmosi një tender mbi 88 milionë lekë për ndërtimin e bllokut në Laknas që përfshinë rrugët Rr.Hekuran Deda+ Rr.Jeta e Re + Rr.Seg. “Gramshi”.
Në garë ishin edhe tetë kompani dhe bashkim operatorësh që janë skualifikuar dhe për këtë arsye tenderi është cilësuar i dyshimtë.
Por kush fitoi? Bashkia Kamëz i dha tenderin kompanisë “EURO-ALB” me administratore Doriana Muratin e cila është gruaja e Bujar Muratit, i cili zotëron 100 të kuotave.
Bujar Murati është emër i dëgjuar për qytetarët dhe drejtësinë. Ai ka qenë drejtor i përgjithshëm i prokurimeve publike në 2009, ku u arrestua.
Ndërkohë që në 2021 u arrestua për herë të dytë për tenderin korruptiv prej 24 mln lekë me kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe. Megjithatë sot Bujar Murati vazhdon të përfitojë fonde publike.