Kombëtarja vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së parë eliminatore përballë Polonisë. Këtë të mërkurë kanë zhvilluar një konferencë për shtyp, dy futbollistët e kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni dhe Anis Mehmeti.
Uzuni është një nga lojtarët më në formë. Ai ka shënuar 20 gola me ekipin e Granada-s këtë sezon, por thotë se nuk ka mbaruar me kaq. Sa i përket “ngërçit” në kombëtare, Uzuni u shpreh se tashmë është me më shumë eksperiencë.
“Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me aq, sepse kanë ngelur akoma ndeshje. Sa i përket kombëtares jam shumë i lumtur që jam stërvitur këtu.
Të përfaqësosh vendin është gjëja më e madhe për një futbollist. Tani ndihem më mirë pasi shënoj gola dhe të gjitha energjitë që kam i shfrytëzoj përpara. Ndihem më mirë si qendër sulmues.
Siç e thashë kur vjen në kombëtare është përgjegjësi më e madhe. Tani jam me më shumë eksperiencë dhe jam më i gatshëm dhe mendoj se koha do e tregojë më së miri”, tha Uzuni.
Sulmuesi foli edhe për klimën e re në skuadër me ardhjen e trajnerit Sylvinho, por edhe futbollistëve të rinj. Ai u shpreh se braziliani ka besim të madh tek sulmuesi dhe shpreson që t’ia kthejë mbrapsht gjithë këtë besim.