Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka dërguar në Prokurori 3 efektivë të policisë dhe dy persona të tjerë pasi dyshohet se janë përfshirë në akte korruptive.
Lajmin e bëri të ditur vetë AMP përmes një njoftimi, ku përmendet mosha dhe inicialet e të proceduarve penalisht.
Materialet proceduriale për 3 punonjës policie dhe 2 shtetas janë dërguar në Prokurori.
Procedimi penal është kryer në ngarkim të shtetasve:
56-vjeçari, Inspektori me inicialet P.H. me detyrë Nd. Specialist Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë i cili dyshohet për “Shpërdorim detyre”.
55-vjeçari, Inspektori me inicialet SH.L. me detyrë Nd. Specialist Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë i cili dyshohet për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.
56-vjeçari, Inspektori me inicialet G.Z., me detyrë trup shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Port Vlorë i cili dyshohet për “Shpërdorim detyre”.
60-vjeçari me inicialet F.D., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”.
56-vjeçaru me inicialet G.M., i cili dyshohet për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Hetimet paraprake ndaj tyre janë kryer pas transmetimit në media të pamjeve filmike, ku pas këqyrjes së tyre rezulton se punonjësit e Policisë dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke siguruar kushtet për kalim të paligjshëm të kufirit të një shtetasi (gazetar investigativ) drejt Italisë kundrejt përfitimit monetar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kompjuter, formular ftese etj.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe vënien para përgjegjësisë penale.