Ish-kryeministri, Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratët e Klosit ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë, Bedri Hoxha.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se Bedri Hoxha nuk është kandidat as pse ishte ish-deputet, ish-kryebashkiak i Klosit, apo mik i Sali Berishës, por është kandidat pasi u zgjodh nga vetë demokratët.
“Sot Bedri Hoxha vjen para jush edhe dy herë më i detyruar sepse ju e propozuar, i besuat, që ai të vazhdojë të qëndrojë në drejtim, të zgjidhet kryetar i kësaj bashkie, të vazhdojë të ju shërbejë ju, të ju përkushtohet ju, të ndajë me ju të gjithë problematikat e mëdha, personale, familjare komunitare.
Të bëjë gjithçka që secili prej jush, krahas vatrës familjare që keni, të keni edhe një shtëpi të vërtetë tuajën në bashkinë e Klosit. Të bëjë gjithçka që ai të përdore në mënyrën më transparente, më të drejtë, më të ndershme të ardhurat e kësaj bashkie.
Të bëjë gjithçka për të sjellë në bashki donacione dhe ndihma nga organizata dhe vende partnere. Të bëjë gjithçka që pasuritë e komunave të Klosit, bashkisë së Klosit të shndërrohen në të mira dhe mirësi për banorët e kësaj bashkie,” u shpreh Berisha.