Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për rastin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademit.
I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës do të dërgohet në arrest shtëpiak për 30 ditë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Gjykata Themelore, nëse Ademi nuk e respekton arrestin shtëpiak, kjo masë do të zëvendësohet me paraburgim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak për të pandehurin A.M e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit,” thuhej ndër tjera në njoftim.
Ademi është dërguar dje në mbajtje për 48 orë, por që nga dje ka qenë i shtrirë në spital duke kryer teste dhe ekzaminime mjekësore.
Agim Ademi u arrestua dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga Tatimi”.
Në raportin e policisë u tha se Ademi dyshohet për keqpërdorim të buxhetit të Federatës së Futbollit.