Nëntë persona janë arrestuar në Tiranë për disa vepra penale për drogë, mashtrim dhe dhunë. Mes tyre është një 31-vjeçar që ka rrahur një efektiv policie.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit F. P., 25 vjeç dhe M. V., 44 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin I. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasin G. P., 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit:
- S. M., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-
O. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin V. M., 26 vjeç, banues në Prishtinë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin D. R., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Çamëria”, ka goditur për shkak të detyrës, një punonjës policie” mbyllet njoftimi.