Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Pro saj votuan 47 eurodeputetë dhe 8 kundër.
LIBE kishte votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën edhe më 12 janar të këtij viti.
“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, kishte thënë ai.
Për liberalizimin e vizave do të votojë edhe Parlamenti Europian. Sipas një draft agjende votimi në PE do të ndodhë më 18 prill.
Sipas vendimit të institucioneve të BE-së, heqja e vizave për Kosovën do të zbatohej që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti. Mirëpo ky shans është humbur meqë funksionalizimi i ETIAS është shtyrë për 2024-ën. Sidoqoftë, kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024.
Miratimin e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje e pati konsideruar vendim të rëndësishëm eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që u caktua edhe raportues për vizat.