Ish-kryeministri, Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratët e Klosit ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë, Bedri Hoxha.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se hallin e nënave shqiptare nuk mund t’a qajë Belinda e cila ulet dhe porosit biftekun 1 mijë euro, sa një ka.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2022 janë vjedhur dhe shpërdoruar nga këta qeveritarë 122 miliardë lekë. Fondi i pagave në Shqipëri në një vit është 97 miliardë lekë. Pra me aq sa vjedhin në 9 muaj, pagat mund të ishin rritur të paktën 130%.
Por kjo nuk ndodh sepse ata kanë përçmim, i urrejnë qytetarët, i konsiderojnë qytetarët, qenie inferiore, qenie që kaq meritojnë. Ata nuk shohin, nuk mund të shohin as vuajtjen, sakrificën tuaj.
Por si mund të shohë vuajtjen, sakrificën një njeri që i lejon vetes të udhëtojë 137 herë me avion me dhomë gjumi, se vuan shumë ai, lodhet shumë.
Si mund të qajë dhe të dijë hallet tuaja, të rrogave, pensioneve, rrugëve, rrugicave, kanaleve ujitëse, të ujit të pijshëm, një njeri i cili firmos 420 mln euro për djegësat në Tiranë dhe sot pas kaq vitesh nuk ekziston asnjë djegës, as në Tiranë, as në Fier dhe ai i Elbasanit nuk punon.
A mund të qajë hallin e nënave dhe motrave tona, Belinda e cila ulet dhe porosit biftekun 1 mijë euro, sa një ka. A mund të qajë hallin ajo zonjë, e cila po lexoja sot, sot disbursimet e thesarit për një udhëtim jashtë shtetit si ministri, kanë përdorur 22 mln lekë,” u shpreh Berisha.