Ish-kryeministri Sali Berisha ka kujtuar sot 24-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për t’i dhënë fund gjenocidit serb.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha shprehet se ndërhyrja e Aleancës ushtarake kishte një rol vendimtar për pavarësinë e Kosovës, ndërsa shton se shqiptarët i mbeten përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe SHBA-ve për vendosjen e paqes në Ballkan.
Postimi i plotë:
24 marsi është dita e historisë për NATO-n, lirinë e Kosovës dhe kombit Shqiptar!
Të dashur miq, 24 vite më parë, me 24 mars 1999 Aleanca e Atlantikut të Veriut në një vendim historik unanim e udhëhequr nga SHBA dhe presidenti Bill Klinton, ndërmori ofensivën e saj ajrore më të madhe pas luftës së dytë botërore, ofensivën e parë në historinë e saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore të 2 milion shqiptarëve në Kosovë që përjetonin genocidin dhe barbaritë që hordhitë pushtuese të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç ushtronin ndaj tyre. Ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s kundër Beogradit krahas luftës çlirimtare të UÇK pati rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndaj shqiptarët i mbeten mirënjohës përjetë NATO-s, SHBA dhe vendeve të tjera anëtare për rolin e tyre çlirimtar për shqiptarët në Kosovë dhe vendosjen e paqes në Ballkan. Zoti e bekoftë NATO-n, vendet e saj anëtare dhe ushtritë e saj.