Ish-kryeministri, Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratët e Kurbinit ku prezantoi kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për bashkinë, Behar Haxhiu.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se gjatë viteve të qeverisjes së kryeministrit, Edi Rama vendi ra në varfërim.
“Shqipëria këto 8 vite, cilido që ndalet dhe analizon, konstaton se ka një rrokullisje të jashtëzakoshme, ka një shkretëtim që nuk e ka njohur kurrë në historinë e saj, ka një varfërim në rritje.
Shqipëria sot nuk ka drejtësi, ajo që quhet drejtësi sot është një seksion i partisë së Edi Ramës. Të gjitha këto përbëjnë një dramë të vërtetë dhe ka një rezultate; largimi masiv i shqiptarëve nga Shqipëria.
Në 8 vite nuk ikën vetëm 1/3 e banorëve, kanë ikur më shumë se 1/3 e mjekëve, kanë ikur gati gjysma e mjekëve. Sot për mjekë për frymë jemi pothuajse sa në vitet ’60.
Sot arsimtarët sapo gjejnë mundësinë më të vogël, braktisin arsimin. Sot 2500-3000 policë kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre, sot gjysma e ushtarakëve shqiptarë kanë paraqitur dorëheqjen e tyre. Të gjitha këto për një shkak të vetëm, sepse rrogave të tyre, me rrogat që marrin nuk përballojnë kurrsesi jetën,” u shpreh Berisha.