Deputetja e PD, Ina Zhupa denoncoi abuzimet me fondet publike në Bashkinë e Vaut të Dejës që sipas saj bëhen të gjitha për qëllime elektorale. Zhupa denoncoi kryetarin e PS Hajmel, se është shpërblyer me rritje në detyrë edhe pse sipas saj është përgjegjës për abuzimet me tenderat në konviktin “Ndre Mjeda”. Ajo thekson se në tenderin për ushqimet e konviktit është abuzuar duke porositur kafe që nuk mund të konsumohet nga nxënësit që i përkasin moshave 15-16 vjeçare.
Denoncimi i deputetes: Skandal në Vaut të Dejës! Tender për kafe për 15-vjeçarët
“Skandali vazhdon me abuzime të tjera. Në momentin që bëhen dokumentet e tenderit për ushqimet që duhet të blenin dhe këtu kemi marrëveshjet, për ushqimet që duhet të blinin në funksion të nxënësve, kujtojmë se nxënësit kanë moshën 15-16 vjeç, pra janë nën 18 vjeç, ata menduan që të abuzonin përsëri dhe të fusnin një produkt siç është kafeja tek lista e tenderit, dhe jo pak por 100 kilogramë kafe të blerë me idenë se do të konsumoheshin nga nxënësit e konviktit ‘Ndre Mjeda’ rreth 800 mijë lekë të abuzuara, sepse siç e dini as ligji nuk e lejon të konsumohen kjo gjë, por edhe vetë ish-përgjegjësi i konviktit, Elvis Prençi thotë se nuk është konsumuar kafe nga nxënësit” tha ajo.