Publikohen dokumentet që vërtetojnë se Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari nuk ka deklaruar dënimin nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”.
Emri i Kreshnik Hajdarit, që aktualisht drejton nën siglën e Partisë Socialiste bashkinë e Kuçovës, ndodhet mes emrave të 18 personave, emigrantë shqiptarë që janë kapur nga policia greke dhe dënuar nga gjykata e Janinës.
Vendimin për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari Nicolaos Raptis, ndërsa është publikuar edhe vendimi i gjykatës së Janinës, ku ndër të tjera urdhërohet dhe dëbimi i menjëhershëm i Kreshnik Hajdarit, që në atë periudhë kishte shkuar si emigrant në Greqi.
Në një vëzhgim të formularit të vetëdeklarimit që Hajdari ka plotësuar, pyetjes standarde nëse ai kishte qenë nën hetim apo gjykim nga ndonjë autorit i huaj, Hajdari i është përgjigjur në kuadratin “JO”.
Fshehja e dënimit nga ana e kryebashkiakut, pritet të sjellë nisjen e hetimeve nga zyra e Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
REAGON KRESHNIK HAJDARI: S’KAM PASUR DIJENI PËR DËNIMIN!
Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, thotë se kjo është hera e parë që mëson për ekzistencën e një vendimit të tillë për të cilin do të interesohet zyrtarisht mbi vërtetësinë e tij.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për tu deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Thënë këto, kjo nuk është aspak penalizuese për kandidimin tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Bashkinë Kuçovë. Pra, s’ka asnjë pengesë ligjore”.