Sot pritet që të zyrtarizohen emrat e kandidatëve të Enkelejd Alibeajt për kryetarë bashkie për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Afati i fundit i dorëzimit ishte të hënën, por prej asaj dite as vetë Alibeaj, por edhe as kryetari Ilirjan Celibashi deklaruan se nuk e dinë sa kandidatë do të jenë. Kjo për dy arsye.
E para sepse sipas Ilirjan Celibashit dokumentacioni nuk është dorëzuar vetëm në KQZ, por edhe KZAZ dhe sot do të miratohen listat dhe së dyti Alibeaj nuk ishte në gjendje të thoshte një numër të saktë, pasi nga ditë në ditë kandidatët po i largoheshin nga lista.
Të sigurt për momentin ka vetëm kandidatin për Tiranën dhe disa bashki ku do të rivalizojë për këshilltarë. Flamurin e opozitës do ta mbajë dyshja Berisha-Meta. Por pyetja që shtrohet është se ku do i çojë lekët që do të marrë Enkelejd Alibeaj nga KQZ për fushatën.
Duke qenë se gjykata i dha vulën dhe KAS e kolegji e legjitimuan për kryetar, që do të mbajë emrin në fletën e votimit, Enkelejd Alibeaj do të marrë një shumë të konsiderueshme nga KQZ për fushatë, edhe pse nuk kandidon në 61 bashkitë e vendit.