Grupi i Sali Berishës nuk rri duarkryq. Deputeti i PD, Flamur Noka ka mbështetur me firmë kandidaturën e Marko Dajtit për kryetar të bashkisë Tiranë.
Noka ka firmosur një dokument ku vetëdeklarohet si deputet i Partisë Fronti i Majtë që kandidon për bashkinë Tiranë, Marko Dajtin. Ky i fundit më herët ka qenë edhe sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë së Riorganizuar.
Dokumenti i firmosur nga Flamur Noka është i nevojshëm për kandidimin e Marko Dajtit për shkak se partia e tij Fronti i Majtë nuk është parti parlamentare dhe duhet të mbështet nga një deputet që ka mandat parlamentar për më shumë se 6 muaj.
Dajti ende nuk është regjistruar zyrtarisht si kandidat, pasi në shqyrtimin e fundit Komisioneri i Zgjedhjeve Celibashi e ktheu kërkesën për mos plotësim të kuotës gjinore.
Por lëvizja është e qartë dhe e hapur për të futur në lojë një kandidat që presupozohet se mund të marrë vota nga e majta.