Të shtunën, në atë që disa kritikë thonë se tingëllon më shumë si një shaka e 1 prillit sesa si realitet, Rusia mori presidencën e rradhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë muaj.
Me luftën e Rusisë në Ukrainë që po hyn në muajin e 14-të, një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për presidentin Vladimir Putin dhe planet e Moskës për të dislokuar armë taktike bërthamore në Bjellorusinë fqinje, kritikët po shtrojnë pyetjen se si Rusia mund të drejtojë organin më të fuqishëm të OKB-së.
“Pyetja është shumë e qartë: A mundet krimineli i luftës të drejtojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së?”, tha Andrius Kubilius, anëtar lituanez i Parlamentit Evropian gjatë një seance për Putinin, të mërkurën.
Më 17 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë lëshoi një urdhër arresti për udhëheqësin rus për rolin e tij në rrëmbimin dhe dërgimin e paligjshëm të mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi.
Këshilli i Sigurimit, me 15 vende anëtare, është organi më i fuqishëm i OKB-së. Ai mund të marrë vendime për kryerjen e veprimeve ushtarake, dislokimin e paqeruajtësve, vendosjen e sanksioneve ndaj një vendi ose individi dhe mund të rekomandojë hetimin e rasteve të mundshme të krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Ukraina është e indinjuar që Rusia është në Këshillin e Sigurimit, dhe veçanërisht tani ka presidencën e radhës. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se presidenca e Moskës është një “shaka e rëndë”./VOA