Gjatë vitit 2022, shtetasit shqiptarë, që u urdhëruan të ktheheshin nga vendet e Bashkimit Europian ishin 24,395, shifër 8.05% më e lartë se ajo e vitit 2021, ku 22,470 shqiptarë u urdhëruan për t’u kthyer nga vendet e BE-së, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.
Vendet me më shumë shtetas shqiptarë të kthyer ishin Franca (7,105 urdhra kthimi), Greqia (6,540), Italia (3,370), Gjermania (2,700) dhe Belgjika (1,430).
Kthimet totale
Në tremujorin e katërt të vitit 2022 (TM4 2022), 123 865 shtetas nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian, u urdhëruan të largoheshin nga një vend i BE-së (+11% krahasuar me TM3 2022), dhe 28 155 shtetas nga vendet jo-anëtare të BE, u kthyen në një vend tjetër, duke përfshirë vende të tjera të BE, (+9% krahasuar me TM3 2022).
Shqiptarët, të tretët për numrin e lartë të të kthyerve në tremujorin e katërt
Mes anëtarëve të BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të qytetarëve jashtë BE, të urdhëruar të largoheshin nga territori i saj në TM4 2022: 36 835 persona, që përfaqësojnë pothuajse një të tretën e totalit (30%). Franca u pasua nga Kroacia (19 795; 16%), Austria (8 985; 7%), Greqia (8 510; 7%), Gjermania (7 450; 6%) dhe Italia (7 000; 6%).
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, Bullgaria ishte anëtarja e BE-së, që regjistroi rritjen më të lartë relative në numrin e personave të urdhëruar për t’u larguar (+537%), duke u rritur nga 510 në TM3 2022 në 3 235.