Tashmë nuk ka më shpresë për qeverinë shqiptare dhe taksat tona. Shqipëria duhet t’i paguajë 110 milionë euro Françesko Beketit.
Gjykata e Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për rihapjen e çështjes me biznesmenin italian. Pas humbjes, pala shqiptare vendosi që të provonte edhe shansin e fundit duke bërë rekurs për vendimin.
Por në 29 mars, një gjykatë e përbërë nga Grant Hanessian, Robert Anderson dhe Charles Poncet urdhëruan rrëzimin e kërkesës duke e cilësuar pa baza ligjore.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk ishte vërtetuar se kishte ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e Arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Sipas pretenduesve, masat u nxitën nga kritikat ndaj qeverisë nga stacioni i tyre televiziv, i cili u mbyll dhe pajisjet iu sekuestruan.
Shqipërisë, përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes. Faturën për veprimet e qeverisë e paguan populli.