Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një vendim për t’i kaluar 57 milionë lekë Ministrisë së Kulturës që do të shkojnë për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente te Ura e Matit, që është monument kulture i kategorisë së parë. Ura me harqe e Zogut është pranë shkatërrimit të plotë. Por duket se në fund qeveria është kujtuar pas shumë apeleve në media.
VENDIMI
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MINISTRISË SË KULTURËS, PËR VITIN 2023, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TEKNIK TË NDËRHYRJES EMERGJENTE NË OBJEKTIN, MONUMENT KULTURE, KATEGORIA E I-RË “URA E MATIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Trashëgimia kulturore dhe muzetë”, t’i shtohet fondi prej 57 515 644 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekësh në shpenzime kapitale, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, Monument Kulture, kategoria e I-rë “Ura e Matit”.
- Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.