Shqipëria për vitin 2022 u rendit në vendin e 73 nga 130 shtete për cilësinë e ajrit. Raporti u publikua nga kompania zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit “IQAir”.
Sipas raportit, përqendrimi mesatar për vitin 2022 në Shqipëri ishte 2.9 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të OBSH-së. E ndërsa nuk kemi parë apo dëgjuar ndonjë nismë për të ulur ndotjen, shohim tendera që bëhen për të matur ndotjen.
Së fundmi Agjencia Kombëtare e Mjedisit që drejtohet nga Arta Dollani ka hapur një procedurë për shërbimin e mirëmbajtjes së pajisjeve të instaluara në stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit urban në qytetet: Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Fier, stacioni i lëvizshëm në Tiranë dhe stacioni i DSHP Tiranë.
68 milionë lekë pa TVSH është shuma që do të dalë nga buxheti i institucionit për të rregulluar pajisjet që monitorojnë cilësinë, por e mira do të ishte të konstatonim edhe masat që kanë marrë institucionet për të frenuar ndotjen.