Me rreth 600.000 banorë, Mali i Zi luan rol kyç në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, është faktor i rëndësishëm për NATO-n, pasi i ofron kontroll të plotë të bregut të Adriatikut. Përtej kësaj, ka statusin e vendit më të suksesshëm në rajon sa i përket procesit integrues në BE.
Arkitekt i gjithë kësaj ka qenë Millo Gjukanoviq. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka udhëhequr politikën malazeze për më shumë se 30 vjet. Ka qenë udhëheqësi më jetëgjatë i zgjedhur në Evropë. Por, kësaj epoke duket se i ka ardhur fundi më 3 prill.
“Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë përfunduar. Mali i Zi e ka bërë zgjedhjen dhe unë e respektoj. Unë e përgëzoj Jakov Millatoviqin për besimin që ka marrë në zgjedhje”, ka thënë ai, pas shpalljes së rezultateve paraprake.
Ka qenë kjo humbja e parë e Gjukanoviqit në zgjedhje prej se ka hyrë në politikë në fillim të viteve 1990.
Kundërshtari i tij në balotazhin e 3 prillit, Jakov Millatoviq, ka fituar 59 për qind të votave. Këtë rezultat, Mali i Zi e ka pritur për më shumë se 30 vjet, ka thënë ai.
“Mali i Zi po shkon përpara, drejt pasurisë, drejt barazisë, drejt një vendi të së drejtës, besimit dhe unitetit, drejt Malit të Zi evropian”, ka thënë Millatoviq, pasi ka shpallur fitoren.