Sot nis procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale. Në Hagë do bëhet dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas kalendarit në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, seanca pritet të fillojë në orën 09:00. Seanca pritet të transmetohet rreth 45 minuta me vonesë për publikun. Pritet që të ketë seanca edhe për datat 11, 12 dhe 13 prill.
Seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill. Gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së filloi më 4 prill pas më shumë se dy vjetësh. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte ç’njerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.