Në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 14 Majit, Bardh Spahia po tenton gjithçka për gjithçka. Me qëllim bindjen e qytetarëve që t’i besojnë një mandat të plotë, në kryeqendrën e veriut vlon zifti rrugëve.
Sot bashkia Shkodër ka hapur katër procedura prokurimi për rrugët. E para është 15 milionë lekë me objekt shërbime riparimi të akseve të rrugëve.
Tre procedurat e tjera janë; shërbime riparimi dhe mirëmbajtje të shtresave asfaltike dhe punime mbrojtëse të rritjes së sigurisë rrugore në Njësitë Administrative, pra në fshatra me vlerë 6.5 milionë lekë.
Tjetra është për lotin e dytë për shërbime riparimi dhe mirëmbajtje me stabilizant të rrugëve të pa asfaltuara, Bashkia Shkodër 3.8 milionë lekë dhe e fundit ka të bëjë me lotin e tretë të shërbimeve të riparimit dhe mirëmbajtjes në segmentin: “Ura e Mesit – Prekal – Kir – Breg Lumi -Nderlysaj” 4.6 milionë lekë.
Ofertat kanë afat për dorëzim deri në datë 27 Prill për të shpallur më pas fituesin dhe për të nisur dhe vazhduar punën gjatë dhe pas fushatës. Në total janë 30 milionë lekë të reja ose 300 të vjetra që janë tenderuar për asfalt elektoral.