Fati i zi me çoi në zyrë! Kosta i Gramozit me këshilltarin tim Dorin po rrinin në kanape. Hyra as u ngritën as me përshëndeten. I pashë! Ata rëndë. Si jeni more të uruar u thashë ?! Lëri llafet mu gjegjen një zëri po shkoj na bëj dy kafe, pështymë u tha, nuk i solle të piu e zeza. Ç’ka ngjarë more të bekuar pse kështu plot ndrojë ankohem. Më thanë rëndësia përcaktohet nga rroga. Falë Babos rëndi dhe hierarkia e deritanishme përmbyset. Kush paguhet më shumë vlen më tepër. Mendova Linditën e gjorë kur të thërrasë vartësit e t’i thonë ‘s’dua ore’. Kosta që i thotë nuk vij po nuk më bëre petulla të fryra me veze.
I shastisur mbërrita në sallën e Kuvendit. Psherëtima. Lot në sy, mallkime nën zë. Saimir Koreshi vajtonte “jam deputet, lokaliteti e mira e shoqërisë, e zeza e vetit, tuj-tuj”. Dash Sula, të cilin dhimbja e tjetrit e shndërron në shpresëdhënës, i jep mbështetje me vargjet; “sa të kemi gjelat e detit s’ja kemi lakmi as krajlit as mbretit, tuj-tuj”.
Teta Gerta nuk kishte fjetur mirë. Mendimet asgjësonin njëri-tjetrin si ushtaret në fushën e betejës. Shikimi i saj i vëngërt binte si brymë mbi sallë. Nuk kuptohej e kishte nga mërzia që drejtorët e saj do paguhen më shumë apo ndonjë tjetër maraz e cimbiste. Shalsi si fukara i shkundur që është, ishte qethur e rruar shkurt që për ca muaj të mos vinte brisk. Shpresa që rroga do t’i rritej ca kohë e lejoji të hazdisej. Tani ajo vdiq e bashkë me të gëzimet e tij.
Jorida Tabaku erdhi mes të kuqes dhe të zezës e patrazuar nga dhimbja e përgjithshme mbi të cilën hodhi vetëm disa buzëqeshje për të tërhequr më shumë vëmendje sesa të shpërndante solidaritet. Blendi Çuçi ishte nxirë. Ai bënte hesap nëse deri tani haja tre byrekë në dreke, me uljen e pagës do një e gjysëm ‘po ja dola nuk është kush si unë’.
Ikonomi dhe Tezja në kërkim të një diete nuk dukeshin aspak të trazuara. Të vetmet që falënderonin Babon për këtë mirësi. Blerina Gjylameti qante me gugatje të buta, Tonit që edhe atij i dridhej mjekra i citonte Biblën, “të pasurit nuk hynë në mbretërinë e Babos” ndaj duhet të mbetemi të varfër. Etilda nuk dinte si të sillej mes proletarëve dhe pasanikëve. Thjesht uli kokën mbi kompjuter teksa i jepte gajret Majkos, “do bëjmë si partizanët, do ndajmë një lajthi në tetë pjesë”. Kur i përmendi partizanet ish-kryeministri gjeti forcën të rezistonte.
Niko nikoqiri i pëshpëriste Margaritit duke ngjitur kokën sa më lartë që fjala të arrinte tek veshi. “E di ti se bota kërkon leka, po nuk pat lek ana piu e zeza, shyqyr që bëra ca kur u mora me biznes, dhe s’do i lë evlatërit pa zahire”! Ajo thjesht rrotulloi kokën plot naze, të cilat nuk kushtëzohen nga floriri. Ismet Beqiri i cili plot krenari ishte mburrur se rroga e tij do të rritej aq sa bereqeti nuk do të mungonte kurrë ishte kokulur. Përsëri i kishte marrë lekë gruas nga pensioni për të pirë një kafe të hidhur. Olta dukej e përhumbur, ajo kujtonte kohët kur gjenerali Matis i hapte derën në Pentagon dhe paratë i dukeshin gjepura. Bela me shikim mosbesues e qortues shikonte gjithë këtë vajnajë si për t’u thënë; ‘hajt, hajt se i bëjmë llogaritë më pas, qurravituni ju!’. Ulsiu nuk paskësh dalë dot nga makina, e kishin kthyer prapë në shtëpi se vetëm dënesej me sytë nga qielli dhe pyeste Zotin “çfarë duhet jeta pa rrogë” !
Miqtë e revolucionit më qortuan rënde. More Edepsez vikaten revolucionin e bëjnë idealistet si ne jo mercenaret që kërkojnë lëmoshë tek Babo. Jyrgis Cyrbja si sulltan Bajaziti në kafaz gulshonte. Si nuk me jep leje Babo t’i kopanis t’ja fal dreqit këtë sallë me parazitë. Keni fatin të shihni Babon një herë në gjashtë muaj, të dëgjonin zërin e tij, ti rrini ngjitmas e kërkoni edhe rroga. Harami ju mbuloftë brez pas brezi.
Elisës i përfytyrohej Babo si Krishti në Kryq tek dëgjonte gjithë ato mallkime edhe pse shefi i saj i kabinetit do paguhej më shumë mendonte që Babo ‘kur të rreh të do’, ndaj e di ai pse na i ul rrogat. Tao me kandil në dorë mundohej që mes asaj lugine të errët të përcillte mesazhin; ‘hajt se nuk jemi pa lekë, do durojmë e do presim ditë më të mira’. Ditë ramazani janë, agjërimi na bën mirë. Nuk e besoja që do vinte ky dekik, kjo ore që të isha dëshmitar i guximit të përshpëritjeve dhe të mallkimeve ndaj Babos. Nasipi me Ben Pëllumbi me zor e paguan një kafe, e fundi thanë; ‘tani e tutje do e marrim me termus. Laert Duro iku në majë të këmbëve që të mos hynte në kronikë; ç’më duhet mua rënkoi! Salianji më çoi haber; mos e jep veten, mbahu, drekat e ke nga unë, të mira madje. Qerratai, shpirt njeriu. Kaq paraditja. Vaj, kob e mallkime.