Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët denoncoi sot sërish kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për lidhje me iranianët në dosjen e inceneratorëve. Ai nxori një foto, sipas tij të bërë në Lugano mes miqve të Erion Veliajt me disa iranianë, mes tyre gjeneralin Qazim Sulejmani, i vrarë me raketë nga SHBA. Për ato që i cilësoi fakte, Berisha kërkoi reagimin e drejtësisë.
“Erion Veliaj ka bërë udhëtime, sipas shërbimeve partnere, të vërtetuara, bënte udhëtime në Teheran. Tani, një nga pikat kyç, siç u informova javën e kaluar, është edhe miku i Erion Veliajt, Miliad Lopa. Besoj se u kujtohet.
Unë do u tregoj një foto, e bërë në Lugano të Zvicrës, në të cilën Miliad Lopa është sipas këtij burimi me ministrin e Mbrojtjes të Iranit dhe përveç tij, sipas këtij burimi, me Qazim Sulejmanin, njeriun që mori raketë të merituar në aeroportin e Irakut me urdhër të presidentit Trump.
E kuptoni se ku shkojnë lidhjet e Erion Veliajt? Për takimet e Erion Veliajt me Miliad Lopën, janë të qarta. Por ekzistojnë të dhëna se Erion Veliaj ka bërë udhëtime, qoftë në Itali, qoftë në Iran, me Miliadin, që është fluent në farsi, në gjuhën perse, një nga gjuhët kryesore në Iran. Personi që përshëndet me dorë në këtë foto, është vetë Qazim Sulejmani, ish-komandanti i Gardës Revolucionare, i dënuar me vdekje nga SHBA” tha ai.