Për herën e fundit në “Air Albania” është luajtur derbi i kryeqytetit, ai mes Tiranës dhe Partizanit, saktësisht më 6 mars dhe një muaj e pak më vonë, në këtë stadium nuk shohim një ndeshje të kampionatit kombëtar.
Është për të ardhur keq kur shikon një impiant të degraduar si “Selman Stermasi” që nuk po përdoret më dhe mesa duket po e projektojnë që ta ndërtojnë nga e para dhe me një impiant tjetër modern që është shitur si shpëtimi i futbollit shqiptar si “Air Albania” dhe ndërkohë kemi klubin më të titulluar në Shqipëri që është Tirana dhe po lufton sot për t’u shpallur kampion, kokë më kokë me Partizanin dhe luan në qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë, duke parë statistikat e ndeshjeve që janë zhvilluar këtë vit deri tani, kemi të bëjmë me një ndeshje në muaj, pasi në janar u luajt vetëm Tirana-Bylisi, në muajin shkurt Tirana-Teuta dhe në mars që ishte ndeshja e fundit, derbi Tirana-Partizani dhe më pas iu dhanë duart futbollit.
Sipas panorama, aktiviteti këtë muaj në “Air Albania” do të nisë me hapjen e fushatës të një krahu të caktuar politik, pastaj në vijim me projekte muzikore dhe gjithashtu këto ditët e fundit flitet se edhe finalja e edicionit të dytë të “Big Brother VIP” të zhvillohet aty.