Zyra e Prokurorisë Speciale edhe sot e vazhdon procesin e paraqitjes së provave përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Gjatë tri seancave të kaluara, dëshmitarja që ishte grua është përgjigjur pyetjeve të ZPS-së, e që po ashtu ka qenë seancë e mbyllur.
Lluka Mishetiq avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, para se te hynte dëshmitarja në sallë kërkoi që ta dorëzoi një provë të re materiale, provë e cila nuk u kundërshtua nga ZPS-ja dhe më pas u pranua nga trupi gjykues.
Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.
Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).
ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.