Prej gushtit të vitit të kaluar Ervis Martinaj është shpallur i zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Kërkimet kanë qenë të shumta, edhe pse me vonesë, por asgjë nuk është gjetur.
Ultimatumi për Ervis Martinajn që Edi Rama i vendosi Muhamet Rrumbullakut pasi u emërua në krye të policisë ka skaduar disa herë.
E ndërsa për disa muaj duket se ishte në heshtje, dy ngjarjet e fundit, në 12 Mars dhe sot në Tiranë duket se kanë rikthyer “fantazmat” e mbretit të basteve.
Në mesin e muajit mars u sulmua me armë zjarri lokali në pronësi të Fation Muratit, armik i Ervis Martinajt. U vra banakierja e pafajshme dhe u plagosën disa të tjerë, mes tyre xhaxhai i pronarit të lokalit.
Një nga pistat e policisë lidhet me armiqësitë e vjetra me 40-vjeçarin e zhdukur. Sot iu vendos tritol banesës së babait të Leonard Dukës, një tjetër rival i Martinajt.
A është “ringjallur” Ervis Martinaj dhe po godet rivalët?