Gjykata e Lartë po vendos nëse gratë do të përballen me kufizime në marrjen e një ilaçi të përdorur gjerërisht për të kryer abort në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vazhdon një proces gjyqësor për këtë çështje.
Anëtarët e gjykatës pritet të lëshojnë një urdhër të mërkurën për një çështje të ngritur nga Teksasi, në të cilën kundërshtarët e abortit po kërkojnë të heqin miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për ilaçin, mifepristone.
Ilaçi fitoi për herë të parë miratimin e FDA-së në vitin 2000 dhe kushtet për përdorimin e tij janë lehtësuar vitet e fundit, duke përfshirë dërgimin e tij me postë në shtetet që lejojnë qasjen.
Administrata e presidentit Biden dhe prodhuesi i ilaçit, Danco Laboratories me qendër në Nju Jork, duan që gjykata më e lartë e vendit të refuzojë kufizimet në përdorimin e mifepristonit, të vendosura nga gjykatat më të ulëta, të paktën për sa kohë që çështja ligjore shqyrtohet nëpër gjykata.
Ata thonë se gratë që duan ilaçin dhe kompanitë që e shpërndajnë atë do të përballen me kaos nëse kufizimet ndaj tij, hyjnë në fuqi. Në varësi të asaj që vendosin anëtarët e gjykatës, kjo mund të përfshijë kërkesën për gratë që të marrin një dozë më të lartë të ilaçit sesa FDA thotë se është e nevojshme.
Aleanca Mbrojtja e Lirisë, që përfaqëson mjekët kundër abortit dhe grupet mjekësore në një sfidë ndaj ilaçit, po mbron vendimet duke i bërë thirrje Gjykatës së Lartë që të lejojë që kufizimet të hyjnë në fuqi tani.