Sot u shënua vrasja e parë në këtë fushatë elektorale. Arian Nikulaj 51-vjeç u vra ditën e sotme në një lokal në Shëngjin që është në pronësi të tij.
Në vitin 2021, ai kandidoi për postin e deputetit nën logon e PSD-së, ndërsa gjithashtu rezulton kandidat në listën për këshilltarë bashkiakë aktualisht në zgjedhjet e 14 Majit. Në vitin 2003, Nikulaj rezulton i dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje. Ndërsa në 2006-ën është dënuar me gjobë për kontrabandë dhe falsifikim.
Ardian Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë. Paraprakisht mësohet se kanë qenë dy persona, të cilët kanë hyrë të armatosur brenda ambienteve të lokalit të viktimës dhe e kanë qëlluar atë për vdekje e më pas janë larguar menjëherë në drejtim të paditur. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet përkatëse.
“Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak: Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.”, njofton Policia e Lezhës.