Kjo periudhë e vitit përkon me krasitjen e pjeshkave dhe pemëve të tjera në Greqi. Për vite me radhë me mijëra shqiptarë dyndeshin në shtetin fqinj për punë sezonale.
Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar shumë këtë vit. Largimi i të rinjve shqiptarë drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera në Europë e jo vetëm, është kthyer në një problem serioz për vendin tonë, por nga ana tjetër ka shkaktuar shqetësim edhe tek fermerët grek.
Mediat greke shkruajnë se largimi i punëtorëve nga vendet e Ballkanit në drejtim të Gjermanisë, është kthyer në një problem tejet serioz për bujqësinë në Greqi.
Tashmë grekët kanë nisur të kërkojnë për punëtorë në shtete si Egjipti, Vietnami, India, Pakistani, Tajlanda, Kazakistani apo edhe Peruja e Ekuadori. Ata po kërkojnë kudo, përveç shqiptarëve, të cilët kanë mbajtur gjallë bujqësinë për gati 3 dekada.
“Grekët nuk punojnë në bujqësi. Njerëzit po largohen nga vendi i tyre për në Gjermani, Francë e Itali, aty ku marrin rroga shumë më të larta. Pse duhet të vijnë te ne. Bullgaria nuk ka punëtorë, po ashtu edhe Rumania, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ata kanë ikur në Europë dhe ne duhet t’i harrojmë. Nëse do të kemi fat, atëherë do të sjellin punëtorë nga Kazakistani dhe më pas nga vende të tjera në Azinë Juglindore”, shprehet Christos Giannakakis, nënkryetar i Unionit Kombëtar të Kooperativave Bujqësore në Greqi.
Sindikalistët shprehet ne kanë bërë kërkesa për punëtorë si dhe kanë ofruar edhe strehim, por sipas tyre ata kërkojnë banesa luksoze ashtë qytetit.
Tashmë, kalimi nga punëtorët e vendeve të Ballkanit tek ata nga Azia nuk pritet të jetë i lehtë dhe pa dhimbje për bujqësinë në Greqi.