Çështja e rolit të ideologjive komb apo shtet-formuese në botën shqiptare është aq e ndërlikuar saqë çdo pretendim për ta rrokur me një ndërhyrje si kjo, apo edhe me gjini të veçanta studimore shumë më të gjera se sa kaq, nuk do të ishte veçse një përpjekje e zbehtë në formën e skicës shumë larg përmasave të një tabloje sadopak të plotë. Për pasojë, këtu nuk do të trajtohen veçse me një vështrim të shpejtë disa çështje të metodologjisë të dinamikave, konflikteve, frymëzimeve ideologjike që kanë bashkëshoqëruar dhe legjitimuar platformën kombëtare shqiptare përgjatë historisë.
Diakronia ligjërimore
Frymëzimi ideologjik për të legjitimuar dhe propaganduar çështjen shtetërore kombëtare dhe shtetin e pavarur kombëtar në fak duket qartazi se nuk ka ardhur nga një vatër e vetme e madhe kulturore, por nga disa syresh. Në kohëra të ndryshme platforma ideologjike shtet dhe komb-formuese është brendashkruar në sisteme globale filozofike, metafizike dhe ideologjike që si të tilla jo vetëm i tejkalojnë shumë kufijtë e botës kulturore shqiptare, por edhe vijnë nga horizonte heteroklite kulturash.
Do të përmendja së paku gjashtë kultura globale, sisteme globale mendimi, që kanë shërbyer për të ndërtuar platformat ideologjike kombëtare.
E para do të kishte qenë kultura humaniste që shoqëron periudhën e shtetit të Skënderbeut, apo të mjaft mendimtarëve që reflektuan mbi të disa dekadave pas tij. Nëse do t’i përmbaheshim qoftë edhe vetëm veprës të Marin Barletit Historia e Skënderbeut, sikurse ajo datohet midis viteve 1508 – 1510, aty dallohet qartë se ideja shtet-formuese e Arbërit, shprehur te epopeja e Skënderbeut, paraqitet brenda një frymëzimi humanist. Sado e veshur me një material fetar të krishterë, vepra në fjalë dallohet dukshëm nga dalja e politikes përtej fetares, nga analiza racionale e shkaqeve të bërjes historike përtej besimeve fetare, nga shfaqja e hapur e vlerës të atdheut përtej qytetit apo krahinës të lindjes të vepruesve historikë. Te vepra e Marin Barletit dallohet qartazi çelja e “gonxheve” të identitetit politik të një shteti të pavarur arbëror, madje edhe të një uniteti ndërgjegjeje të bazuar te nocioni “arbër”. Të gjitha ligjërimet që autori vendos në gojën e Skënderbeut, ose kur përshkruan aktet e tij politike dhe luftarake në vepër dëshmojnë se heroi kombëtar mblodhi elitën kalorsiake arbërore, rreth një pushteti politik që vendoset përballë perandorisë osmane. Edhe princat që mblidhen në Kuvendin e Lezhës dëshmojnë krijimin dhe pohimin e një vullneti unitar. Ky i fundit, nuk krijohet pra në shekullin e 19-të dhe nuk duket se ka nevojë në zanafillat e tij për të pasur si superstrukturë një bazë ekonomike gjithëkombëtare (sipas konceptit stalinian të kombit) tregun e përbashkët kapitalist. Ky vullnet shtet-formues bazuar në një unitet ideor dhe organizativ social dhe arbëror, hera – herës kuptuar edhe në një bazë të gjerë si epirotas, ndërtohet duke u bazuar te tensioni me një kundërshtar të përbashkët, të jashtëm, sikurse ishin otomanët.
Sikurse thuhet në filozofinë e krijimit të uniteteve të grupeve sociale, shfaqja e armikut të jashtëm, krijon nevojën e identifikimit të brendshëm të grupit.
Mos harrojmë se shfaqja politike e vlerës të atdheut përballë perandorisë si karakteristikë e kësaj kulture humaniste nxjerr sythe në kulturën arbërore disa dekada përpara sesa ajo të shfaqej në Gjermani me veshje fetare të protestantizmi antiroman, antipapal. Vepra e Barletit është botuar disa dekada përpara se sa në botën fiorentine, Makiaveli të projektonte filozofinë humaniste te parimet politike të shtetarit, përpunuar te vepra e tij Princi. Te Barleti vepra e Skënderbeut bazohet në një strukturë dialektike duale, larg determinizmit linear sipas skemës që vetëm lindja e kombit çon pastaj në lindjen e shtetit kombëtar të pavarur. Te Historia e Skënderbeut kemi një bashkëveprim reciprok. Frymëzimi për pavarësi dhe shtet të pavarur mbështetet mbi një vullnet politik të bazuar te një identitet paraprak social arbëror, kurse identiteti arbëror konsiderohet si i siguruar, i afirmuar, i zhvilluar mbi bazën e shtetit të pavarur me funksion të parë rezistencën ndaj pushtuesit.
Forma e dytë ideologjike që ka marrë shtet-formimi kombëtar do të ishte rishfaqja e idesë shtet-formuese në shekullin e 19-të si në botën arbëreshe, në diasporën shqiptare në vende të tjera, në Turqi, etj. Ideja kombëtare dhe e një shteti të pavarur kombëtar rivjen, sikurse do ta mendonte skema strukturaliste, nëpërmjet një lënde ideologjike dhe kulturore që i ngjan një spektri ndriçimesh ideore. Diku ajo shfaqet nëpërmjet një poezie romantike ta zëmë si ajo e Jeronim de Radës, diku tjetër vishet me botëkuptimin panteist si te Naim Frashëri, te Shqipëria ç’ka qenë, çështë dhe ç’do të bëhet e Sami Frashërit merr pamjen e një ideologjie me notat e një etnocentrizmi nacional të shëndetshëm. Nëse këtë veshje ideologjike do ta shihnim të vazhduar deri në dekadat e para të shekullit të njëzet, nuk e kemi të vështirë që ta zëmë te poema Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës ta shohim pse jo edhe të veshur filozofikisht me një lloj neoplatonizmi, ku idetë hyjnore në formën e Orëve dhe të Zanave përcaktojnë që nga bota e kulluar e Ideve ngjarjet e tokës. Kuptohet që ideja kombëtare dhe ajo e shtet-formimit të pavarur mbërrin nga kultura heteroklite, pa lidhje të brendshme midis tyre, të konvergjuara vetëm nga ana e “eksterioritetit” të tyre kontekstual historik, dhe jo së brendshmi. Në historinë e filozofisë vështirë se njihen kalime të brendshme idesh midis panteizmit, neoplatonizmit, romanticizmit, etj. Të ardhura nga horizonte kulturore të ndryshme ato bashkohen pse jo edhe nga rastësia historike në terrenin kulturor, politik shqiptar.
Përgjatë viteve ‘30, midis dy luftrave botërore dhe krizës ekonomike e financiare që tronditi të gjitha marrëdhëniet shoqërore, politike dhe gjeopolitike të botës, duket se elitat intelektuale shqiptare dhe në Shqipëri, pasi kanë konsideruar të përfunduar shtet-formimin, kthehen në një vetë-reflektim kritik që jep tablo të tjera të botës shqiptare. Në një farë mënyre një kritikë sociale që kishte nisur të shprehej edhe në platformat ideologjike kombëtare, theksohet dhe merr pamje të shprehura qartë. Nga shqiptari i hyjnizuar vijmë te qytetari dhe individi që jeton në një botë reale, aspak e kulluar, dalin në pah vlerësime kritike ndaj zakonesh të vjetra mbështetura në paragjykime, shënjohet me gisht akuzues varfëria, hipokrizia sociale, egoizmi. Kjo duket në poezitë e Çajupit, në skicat letrare të Migjenit, në ligjërimin poetik të Nolit, etj. Një realizëm kritik duket sikur nuk është indiferent ndaj vlerave të shtet-formimit dhe komb-formimit. Por, ndërkohë militon për drejtësi sociale. Nuk është se ai e nxjerr për turp shqiptarin përpara botës, por me një sens realizmi, që shkon shpesh deri në cinizmin e Faik Konicës, kërkon të ekuilibrojë shtetin me të drejtën, sikurse kërkon të konvergjojë identitetin kombëtar me emancipimin social. Kërkohet një identitet kulturor kombëtar evolutiv. Jemi të njëjtët, por nëpërmjet ndryshimit.
Mesi i shekullit të njëzetë, karakterizohet nga përpilimi i idesë kombëtare dhe i përqasjes së zgjedhjes të çështjes të kombëtare, nëpërmjet kryesisht ideologjive autoritare. E majta shfaqet në mënyrë radikale te një marksizëm i stalinizuar, kurse spektri i së djathtës nacionaliste nuk mungon të variojë nga një ideologji fashiste deri te një ideologji naziste e përvetësuar në kushtet shqiptare. Sigurisht nuk mungojnë edhe ngjyrat social-demokrate apo të tjera, por që janë boll të zbehta karshi ideologjive totalizuese të epokës. Afirmimi i çështjes kombëtare e humbet unitetin dhe konvergjencën ideore aq të dukshme përgjatë shekullit të 19-të. Ideologjitë e shekullit të njëzet nuk janë thjesht injoruese të njëra tjetrës, por sikurse shkruante Foucault janë edhe krejt përjashtuese midis tyre. Tashmë ideologjitë përjashtuese paraqiten si shpëtuese të kombit dhe të shtetit të pavarur shqiptar, ato kanë gjithashtu përqasje reciprokisht kundërshtuese për zgjidhjen e çështjes mbarëkombëtare, përbëjnë propaganda të mbështetura mbi terrorin. Midis tyre nuk ka lidhje dhe koherenca të brendshme. Ato kanë ardhur nga horizonte kulturore dhe politike krejt heteroklite, të huaja, ndeshen me njëra tjetrën jashtë vatrave të tyre të origjinës kulturore.
Pas viteve ’90 dhe në dekadat e mëvonshme, deri në ditët tona, shtet-formimi dhe përqasja ndaj çështjes kombëtare janë formuluar sipas ideologjive globaliste, të integrimit evropian, apo edhe të kontraktualizmit politik.
Duke i qëndruar idesë se kemi të bëjmë më sipër vetëm me një skicë fillestare, shënojmë se ideja kombëtare dhe ajo e shtetit kombëtar në historinë shqiptare ka ardhur e veshur me materialin ideologjik dhe kulturor karakteristik të etapave historike të ndryshme. Kemi pra një diakroni ligjërimore sepse nga etapa në etapë kanë ndryshuar ligjërimet e mëdha ideologjike brenda të cilëve është strukturuar vlera e shtetit të pavarur kombëtar.