Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten, ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të u vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku që ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj tyre mund të pengojnë ecurinë e procesit.
“Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme”, ka thënë Doyle.
Ndërsa, lidhur me ecurinë e çështjes gjatë kësaj jave ai tha se ka përfunduar dëshmia e dy dëshmitarëve të parë, ndërkaq dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon në seancë të mbyllur.
“Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokuroria në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit i përfunduan dëshmitë e tyre. ”, tha Doyle.
Ai tutje tha se në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, më 13 prill, trupi gjykues autorizoi dhënien e dëshmisë nga tre dëshmitarë përmes video-lidhjes.
Trupi Gjykues konstatoi se teknologjia ekzistuese mundëson që dëshmitarët të pyeten me të njëjtat kushte si në sallën e gjyqit dhe do t’u mundësojë këtyre dëshmitarëve që të dëshmojnë pa ankth, çka do të përmirësojë cilësinë e dëshmisë së tyre dhe do të jetë në të mirë të mirëqenies së tyre fizike dhe psikologjike”, ka thënë si. /BetimipërDrejtësi.