Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Serbia që marrëveshja me Kosovën të jetë e bazuar në njohjen reciproke në mes të dy shteteve, shkruan media serbe N1.
Kjo sipas njërës nga pikat e raportit të PE-së për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të plotë për përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe ftojmë Serbinë dhe Kosovën të angazhohen në këtë dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirës, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre bazuar në parimin e njohjes reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme”, thotë njëri paragraf i këtij raporti.
Raporti bën thirrje për zbatimin e plotë, në mirëbesim dhe në kohën e duhur, të të gjitha marrëveshjeve relevante nga të dyja palët, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në këtë amendament thuhet po ashtu se “besohet se një zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse do të nxisë bashkëpunimin, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e gjerë”.