Për herë të parë Tirana kryeson të 12 qarqet të vendit për nivelin e lartë të “dembelizmit” popullsisë jo aktive në tregun e punës (që nuk është as në punë dhe as nuk kërkon të punojë).
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e fundit të vitit 2022 shkalla e inaktivitetit në Tiranë ishte 42 për qind, duke lënë pas edhe Lezhën e cila kryesonte renditjen për popullsisë jo aktive në tregun e punës për shumë vite.
Tirana gjatë vitit 2022 reflektoi problematika në tregun e punës. Niveli i lartë i popullsisë jo aktive çoi në një shkallë të ulët punësimi në krahasim me pjesën tjetër të qarqeve.
Megjithëse në kryeqytet dhe rreth tij janë të përqendruar rreth 60 për qind e aktivitetit ekonomik, gjysma e popullsisë së Tiranës nuk dëshiron të punojë edhe pse disa industri po vuajnë për punonjës.
Nga 12 qarqet e vendit, pas Tiranës Lezha, Dibra dhe Vlora kanë përqindje të lartë të popullsisë jo aktive në tregun e punës me mbi 40%.
Në krahun tjetër, Berati, Korça dhe Elbasani kanë nivelet më të ulëta të popullsisë jo aktive në tregun e punës.