Pritja prej shumë vitesh ka marrë fund. Qytetarët e Kosovës tashmë janë lodhur nga regjimi i vizave që kishte vënë Europa dhe bota. Parlamenti Europian miratoi vendimin final. Qytetarët do të lëvizin të lirë në Europë nga 1 janari i vitit 2024.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, duke bërë të ditur se autoritetet do të nisin fushatë informuese lidhur me kufizimet që vijnë me liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se procesi i vizave ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
“Ky ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa rrugës dhe ka marrë 11 vite kohë për ta mbyllur. Liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, do të forcojë lidhjet tona me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe do të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë”.
Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodhë pas 20 ditësh. Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës “Schengen”.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirisht në zonën Schengen. Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Europian, që në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa vende anëtare vazhdimisht kanë shprehur rezerva. – SHKRIMI I PLOTË NË MONITOR.AL