Tre qytetarë të nacionalitetit serb kanë votuar në qendrën e votimit në Leposaviç. Lajmi është bërë i ditur nga menaxheri i kësaj qendre, Enver Aliu. Ai tha se procesi i votimit është i qetë dhe nuk kanë evidentuar ndonjë parregullsi.
“Qendra është hap me kohë, deri në këtë moment i kemi tre votues të nacionalitetit serb. Votues serb… gjithçka ka shkuar qetë… jo jo, gjithçka është në rregull”, tregon ai.
Qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës.
Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues. KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative.