Kriza e energjisë arriti kulmin e saj në verën e vitit të kaluar ku një MWh energji u shit deri në 1047 euro në Bursën e Hungarisë të cilës i referohet edhe Shqipëria.
Në mungesë të reshjeve sidomos gjatë 10 muajve të parë të vitit, vendi u detyrua të bënte importe të shumta të cilat vunë kompanitë e sistemit energjetik në vështirësi financiare. Gjithsesi përmirësimi i situatës në fund të vitit bëri që panorama të ndryshonte disi dhe vendin e importeve ta zinin eksportet.
Por si qëndron diferenca e çmimeve në rastet kur kemi blerë dhe shitur energji?
Të dhënat tregojnë se kemi shitur me një çmim 40 për qind më të lirë sesa çmimi mesatar në blerje. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me periudhën kur janë regjistruar këto blerje si dhe zhvillimet e përgjithshme në treg mbi disponueshmërinë e sasisë së energjisë.
Enti Rregullator i Energjisë në raportin e tij vjetor nënvizon se ka bërë “monitorim përmes raportimit periodik për blerjet e energjisë elektrike në treg të hapur nga shoqëritë pjesërisht të rregulluar KESH sh.a., ku rezulton se çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga shoqëria KESH sh.a., e ngarkuara me detyrimin e shërbimit publik është rreth 305.47 EUR/MWh, ndërkohë qe çmimi mesatar i ponderuar i shitjes së energjisë në treg të hapur nga shoqëria KESH sh.a. rezulton me rreth 182 EUR/MWh”.