-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Viktor Malaj: Vrasësit, Media dhe Politika

Kryesoret

Biznesi më i ri që ka nisur të zhvillohet në Shqipëri dy dhjetëvjeçarët e fundit është ai i vrasjeve me pagesë. Përveç bizneseve të ligjshëm që hodhën rrënjë në vitin 1990 e këtej, bizneset kriminale të drogës, prostitucionit, korrupsionit dhe vrasjeve me pagesë kanë fituar “qytetarinë” e tyre në vendin tonë.

Ne nuk jemi vendi dhe as populli i parë që eksperimentojmë në këto fusha, por jemi një popull që ushtrimin e këtyre “bizneseve” e kemi marrë me shumë qejf e besim, sigurisht në kurriz të moralit, mirëqenies, jetës dhe sigurisë së shumicës së popullsisë.

Kaq shumë janë shtuar vrasjet me pagesë dhe autorët e tyre sa që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me Agjenci të ligjshme të Vrasësve me Pagesë.

Vrasësit me pagesë janë individë që vijnë nga bota e errët e ndërgjegjes dhe moralit, e kulturës dhe intelektit, shkurt janë njerëz pa din e pa iman, siç thotë populli. Këta individë vihen në shërbim të personave të tjerë, kryesisht elementë të botës së krimit apo të krimit dhe biznesit së bashku dhe, për llogari të tyre dhe për hir të xhepave të vet, janë të gatshëm të marrin përsipër vrasjen apo thjesht terrorizimin me paralajmërim të kujtdo që është vënë në objektiv nga kriminelët me xhepat plot.

Ky fenomen i përbuzshëm kriminal ka qenë i përhapur prej shumë kohësh në vendet perëndimore dhe tani ende ekziston në disa prej tyre.

Vrasësit me pagesë janë individë të cilët, pasi ndihen “të braktisur” nga familja apo shoqëria, kanë krijuar prirje që u shkaktojnë të vjella qoftë edhe po të dëgjojnë për punë, profesione e dije. Ndërkohë, ndër ta dëshira për të jetuar në luks është kthyer në mani. Këta tipa kanë qenë e janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetët e veta në këmbim të përfitimit të shumave marramendëse që shkojnë nga 50 në 500 mijë euro, në varësi të pasurisë së porositësve të vrasjeve dhe të “rëndësisë” që ka asgjësimi i viktimave për porositësit e krimit.

Vrasësit me pagesë nuk do të ekzistonin nëse nuk ekzistojnë elementët kriminelë që zotërojnë pasuri të mëdha dhe në qoftë se do të funksiononte realisht shteti dhe strukturat përkatëse që merren me luftën kundër krimit.

Fatkeqësisht, në vendin tonë gjatë këtyre tri dekadave iu dha mundësia e pasurimit me përparësi njerëzve të shthurur me prirje kriminale, veçanërisht atyre të përdorur nga politika për të ardhur në pushtet dhe për ta ruajtur pushtetin. Njerëzit e shthurur e vunë pasurinë e tyre tërësisht ose pjesërisht me rrugë kriminale. Është e duhur shprehja që dëgjohet edhe sot në Shkodër, “Ka rënë paraja në dorë të horrit”.

Para disa vitesh, një raport ndërkombëtar pohonte se rreth 80 përqind e pasurive të krijuara në Shqipëri mbas vitit 1990 janë vënë në rrugë kriminale. Ata që e vënë pasurinë në rrugë kriminale, në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtat mjete do të përpiqen ta shtojnë, mbrojnë dhe shfrytëzojnë.

Në këtë aventurë të tyre ata bien në kundërshtim me ligjin e shtetin, ashtu edhe me njëri-tjetrin për “zona influence”, tregje dhe arsye të tjera. Kur politika dhe shteti nuk distancohen qartë, prerë dhe në bllok kundër këtyre individëve, ata fillojnë bashkëpunimin me individë e forca politike, si dhe me drejtues shtetëror me peshë, në mënyrë që të fitojnë përkrahje dhe mbrojtje kur shkelin ligjet, nuk paguajnë taksa, kryejnë krime të tjera në fushën ekonomike e financiare, pa pasur frikë të kryejnë edhe shkelje të rënda të rendit.

Duke pasur para, këta individë të pasuruar në rrugë kriminale, kanë mundësi të bëjnë “ndere” dhe të krijojnë njëfarë ndikimi zonal apo në territor më të gjerë. Si të tillë, premtojnë mbështetje politike (votëmbledhëse) jo vetëm për subjekte politike, por edhe për individë me ambicie për pushtet qendror apo vendor.

Në këtë mënyrë nis bashkëjetesa midis krimit dhe politikës, pasojat e së cilës bien mbi popullin e thjeshtë, kryesisht mbi njerëzit që i përbuzin dhe urrejnë krimin dhe kriminelët.

Vetëm kohët e fundit kemi 4-5 raste krimesh të pazbuluara, por që lënë përshtypjen e akteve kriminale të porositura për t’u kryer me pagesë. Aktet kriminale si ai i të shtënave me armë zjarri kundër godinës së Top Channel, vendosjes së një sasie tritoli poshtë makinës së një drejtuesi rajonal politik në Vaun e Dejës dhe goditja me armë zjarri e dritareve të një biznesi në fshatin Gjorm të Kurbinit, synonin trembjen e individëve zotërues të atyre pronave dhe iu jepnin atyre një lloj paralajmërimi.

Ndërsa akti kriminal i vrasjes së biznesmenit nga Shëngjini, Ardian Nikulaj, duket mjaft i sofistikuar, mjaft i rëndë dhe, me shumë të ngjarë, i kryer nga vrasës me pagesë.

Kryerja e këtyre krimeve, përveç pasojave të rënda që sjellin, nxjerrin në pah edhe se policia shqiptare nuk e ka situatën kriminale nën kontroll. Është e kuptueshme dhe e pranueshme që policia të mos mund të parandalojë çdo akt kriminal, pasi një gjë e tillë nuk mund të arrihet as në vendet më të zhvilluara perëndimore, por është e papranueshme që numri i vrasësve dhe i vrasjeve me pagesë të jetë kaq i madh dhe fare pak prej tyre të zbulohen.

Nuk do shumë përqendrim për të kuptuar se puna agjenturore e policisë dhe depërtimi i saj brenda botës së krimit për t’u informuar përpara ndodhjes së veprave penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, është larg kërkesave të kohës. Gjithashtu, mjetet teknike dhe ndihmëse që ka apo duhet të ketë policia për t’iu përgjigjur krimit të sofistikuar duket se janë të pamjaftueshme në sasi dhe cilësi.

Si mundet që një polici funksionale të mbajë jashtë vëmendjes dhe kontrollit të saj të gjithë ata banorë të Shqipërisë të cilët bëjnë jetë luksoze, kanë vila dhe makina shumë të shtrenjta dhe nuk disponojnë asnjë lloj biznesi të ligjshëm dhe, madje, nuk firmosin askund si punëmarrës?

Shteti shqiptar duhet të vendosë dhe zbatojë rreptësisht rregulla që askujt nuk mund t’i regjistrohet automjeti apo pronat e patundshme nëse blerjen e tyre nuk e realizon nëpërmjet bankave dhe nëse nuk vërteton burimet financiare të parave si të ligjshme.

Operativiteti i policisë duket se lë shumë për të dëshiruar. Në rastin e viktimës Nikulaj duket e çuditshme që autori vjen tri ditë rresht nga Shkodra në Lezhë, i maskuar dhe i veshur në mënyrë aspak normale- prandaj logjika thotë se bije lehtë në sy- dhe asnjë polic i qarkullimit rrugor apo postbllok policie nuk e ndalon për të verifikuar kush është dhe nga vjen ky “alien”.

Për më tepër, nuk është bërë ende e qartë se sa minuta mbas vrasjes së biznesmenit është njoftuar policia për krimin dhe pse nuk u bë i mundur ndalimi, verifikimi dhe kapja e autorit. Vrasësi pati mundësi të qarkullonte gjakftohtë me motoçikletë për 30-45 minuta në rrugën kryesore pa u bërë merak fare për shërbimet policore!

Nga ana tjetër, edhe një pjesë e madhe e medias është bërë shumë e dëmshme për shoqërinë me trajtimin “informativ” që iu bën krimit dhe kriminelëve. Për të fituar sa më shumë klikime dhe për t’u dukur interesante, disa TV, gazeta dhe, sidomos, gazetarë dërdëllisin gjithë ditën rreth krimit e kriminelëve, ose duke mos thënë asgjë të rëndësishme, ose duke thënë gjëra që s’duhen bërë publike, ose duke pohuar të pavërteta që përbëjnë dezinformim.

Një gazetar investigativ foli një natë për 50 minuta në një TV rreth ngjarjes në Vaun e Dejës, ku iu vu tritol makinës së përmendur më lart, dhe nuk tha pothuajse asgjë, por thjesht përsëriti 7 a 8 herë të njëjtat gjëra që kishte njoftuar policia apo që njerëzit kishin parë në videot e transmetuara.

Është përgjegjësi e policisë dhe prokurorisë që, ashtu si në rastin e krimit më të fundit në Shëngjin, të mos japin për median dhe as për qytetarët hollësi që dëmtojnë hetimin e zbulimin e autorëve apo që rrezikojnë jetën e dëshmitarëve. Nuk është shkelje e të drejtës për informim askund në botë që të dhënat e fshehta dhe me rëndësi jetike për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve t’iu mbahen të fshehta edhe gazetarëve.

Pse i duhet treguar medias se çfarë dëshmoi ky ose ai person i pranishëm ose jo në vendngjarje kur një gjë e tillë mund të rrezikojë jetët e dëshmitarëve dhe mund të ndihmojë autorët e krimeve të fshehin gjurmët apo të krijojnë alibi të shumëllojshme?

Media duhet të jetë shumë e matur në rastet e krimeve me rrezikshmëri dhe pasoja të rënda kur ajo transmeton mendime apo deklarata, në mënyrë të veçantë deklarimet e individëve apo formacioneve politike, të cilët, për interesat e veta meskine dhe thuajse kurrë në shërbim të së vërtetës, synojnë të përpunojnë opinionin publik me synim që ta manipulojnë politikisht.

Edhe në rastet e vendosjes së tritolit në makinën e një drejtuesi rajonal politik, por edhe në rastin e vrasjes së biznesmenit A. Nikulaj në Shëngjin, skifterët e pander dhe të pashpirt politikë shpejtuan t’iu japin krimeve natyrë politike dhe të fajësojnë kundërshtarët.

Thirren shpesh në studio televizive ish-drejtues policie apo ish-punonjës të saj, të rënë nga vakti si të politizuar dhe që mezi presin kthimin e Foltores në pushtet. Këta të ftuar si specialist të policisë pozojnë sikur janë vërtetë sikundër i paraqesin. Nëse mendohen të vlefshëm le të thirren, por le t’i jepet hapësirë edhe mendimit profesional të specialistëve të mirëfilltë.

Në rastin e vrasjes në Shëngjin, një TV kishte thirrur një ish-drejtues policie me emrin Arben Hajdarmataj, i cili fliste si ushtar llogoresh politike. Ndër të tjera, ai tha se “Unë gjej rastin të bëj thirrje që policia dhe grupi hetimos të sqarojnë sa më parë motivet e kësaj vrasjeje makabre. Nëse kjo nuk sqarohet, këtu ose ka dashakeqësi, ose ka qëllim që nuk do sqarohet”.

Jo vetëm çdo jurist apo oficer policie normal e di, por edhe një bari dhensh në malet e Tropojës e merr lehtë me mend se motivi i një krimi si ai i vrasjes nuk mund të dihet pa u zbuluar autori i tij. Policia dhe prokuroria nuk mund të “hedhin fall”, siç bëjnë rëndom politikanët pa moral dhe idhujt e tyre pa mend. Kështu që policia dhe grupi hetimor mund të mos e sqarojnë motivin e vrasjes, jo për dashakeqësi dhe as për qëllime të tjera, por thjesht sepse nuk e dinë ende. Të njoftosh publikun për diçka që s’e di do të thotë ta mashtrosh atë.

Qeveria shqiptare duhet që sa më parë të shtojë fondet në mënyrë të konsiderueshme për Policinë e Shtetit, për modernizimin dhe rritjen e cilësisë së punës së saj, në mënyrë që të rritet niveli i parandalimit të krimit dhe, sa më shpejt, të asgjësohen ligjërisht “Agjencitë e Vrasësve me Pagesë”.

Kjo gjë do t’i shërbejë rendit e sigurisë së qytetarëve dhe do iu heqë mundësinë vrasësve pa pagesë si Sali Berisha dhe çeta e tij non-grata që të dalin e të shpallin “autorësitë” e krimeve të rënda të vrasësve me pagesë ende pa u kryer ato ose pa u bërë këqyrja e vendngjarjes.

I vetmi politikan shqiptar i këtyre 33 viteve, të cilit i është vërtetuar autorësia në vrasje makabre ditën për diell në mes të kryeqytetit, e ka gjetur si mjet kriminal politik fajësimin e kundërshtarëve të tij politikë për çdo akt kriminal që ndodh në vend dhe askush nga media nuk e pyet ndonjëherë përse nuk sjell asnjë provë për fajësimet, por mjaftohet thjesht me përcjelljen e lehjeve politike.

Duke e njohur veten si vrasës dhe duke e ditur se këtë e dinë edhe shqiptarët, ky matrapaz ordiner dhe politik nuk lë rast pa u përpjekur t’i bëjë edhe të tjerët si veten në mënyrë që të duket thjesht vetëm si “njëri prej atyre” dhe jo si kapobanda politike vendit./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit