Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Sali Berishës dhe Ilir Metës u ankua sot në KQZ për posterat dhe “billboard”-erat e vendosura nga Partia Socialiste me foton e kryeministrit Edi Rama në cdo cep të Tiranës dhe Shqipërisë. Altin Kaziaj që përfaqëson koalicionin e opozitës kërkoi që të hiqen, por Ilirjan Celibashi mori një vendim tjetër. Ai i la afat PS-së, por edhe subjekteve të tjera që poshtë posterit apo “billboard”-it të vendosin autorësinë ligjore.
“I lëmë afat prej dy ditësh, që të gjitha subjektet, përfshirë edhe PS, ta zgjidhin dhe të vendosin mbishkrimin ‘prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…’. Në rast të kundërt do të urdhërojmë heqjen e atyre materiale. Në lidhje me pjesën tjetër do të kërkojmë informacion nga kryetarët e këtyre bashkive apo bashkitë përkatëse mbi përcaktimin e vendeve për vendosjen e materialeve propagandistike zgjedhore”, tha Celibashi.