Socialistët në Krujë po bëjnë gjithçka për të fituar zgjedhjet lokale të 14 Majit. “5Pyetjet.al” në muajt e fundit ka denoncuar në shumë raste tenderat me hije të forta dyshime që ka firmosur kryetari i bashkisë Artur Bushi në rrugë për asfalt elektoral dhe procedura të tjera. Por nuk mjafton me kaq.
Ka edhe një tjetër kartë të fundit. Rikthimi te fatkeqësia e tërmetit. Në javët e fundit përpara zgjedhjeve bashkia Krujë sipas listëpagesave (kliko këtu për të parë pagesat e thesarit) që janë bërë nga thesari rezulton se ka xhiruar miliona Lekë në llogaritë e familjeve të Krujës si grante për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 28 nëntorit të katër viteve më parë.
Po nëse i meritojnë, OK, por përse tani? Përse këto familje janë zvarritur kaq vite dhe u jepet shuma në prag të zgjedhjeve? Socialistët po luajnë me tërmetin në disa drejtime; së pari me shpërndarjen e banesave që janë ndërtuar në zonat e prekura, së dyti me pagesat cash dhe së treti me qiratë.
E ndërsa në dy raste, qiratë dhe dhënia e çelësave po i marrim në vazhdimësi, pagesat e miratuara nga këshillat bashkiakë dhe dërgesat e shumave në llogaritë bankare të qytetarëve në prag të zgjedhjeve nuk mund të quhen rastësi.