Grupi i Sali Berishës përmes përfaqësuesit ligjor, Ivi Kaso i kërkoi prokurorisë së Shkodrës që të mos zhdukë në sirtarë dosjen për kallëzimin e KLSH-së për bashkinë e Fushë Arrëzit për korrupsion me tenderat.
“Në një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Bashkinë Fushë-Arrëz në vitin 2019, me objekt aktivitetin përgjatë vitit 2017, dhe përputhshmërinë e prokurimeve me të ardhurat për periudhën 2017-2018, ka gjetur disa shkelje.
Dy më kryesoret janë një tender për rikontruksionin e shkollës së Iballës dhe rikontruksionin e shkollës së mesme në qytetin e Fushë Arrëzit. KLSH pas konstatimeve për shkelje ka kërkuar kallëzim penal për dy kompanitë që, në bashkpunim me zyrtarët të bashkisë së Fushë-Arrëzit kanë shkelur ligjin.
Shkeljet e evidentara nga KLSH janë konsumim i veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, dhe e gjitha është bërë me qëllim paraqitjen e të dhënave të rreme për të fituar tenderat.
Shkelja e bashkisë, sipas KLSH, është se nuk ka bërë verifikimet e duhura. Më saktë nuk ka dashur të bëjë verifikimet e rastit, sepse për tenderat të cilat i ka fituar bashkimi i dy kompanive, ka pasur dakordësi që më parë.
Pra, kemi të bëjmë, jo me shkelje nga pakujdesia, por me shkelje me dashje, me qëllime favorizimi dhe korrupsioni. Kontrolli i Lartë i Shtetit për këto shkelje ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës.
Dosja është rrotulluar në sirtarët e kësaj prokurorie për tre vjet dhe vetëm para katër muajsh kjo Prokurori ka vendosur t’ia kthejë mbrapsht dosjen Prokurorisë së Pukës” tha Kaso.